Basha: S’mund të ketë ecje përpara të Shqipërisë pa larguar krimin nga qeverisja

15/03/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim drejtorin për Europën Juglindore në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, gjithashtu ka pasur dhe një takim tjetër me nënkryetarin e grupit parlamentar të Partisë Popullore austriake.

Në takimin me Ernst Reichel, drejtor për Europën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, Basha e njohu me shqetësimin e thellë që po kalon vendi për depërtimin e krimit deri në nivelet më të larta të administratës dhe Parlamentit.

Duke e informuar për situatën në vend, Basha u ndal tek akuzat e rënda që janë bërë ndaj Kryetarit të Parlamentit si porositës i vrasjes së dy deputetëve, nga vetë radhët e mazhorancës.

“Basha tha se për këtë ngjarje të rëndë është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të plotë të besueshëm e të gjithanshëm. Një hetim i tillë është i pamundur sa kohë që subjekti i hetimit mban dhe ushtron pushtetin e numrit dy në vend. Dorëheqja e Ilir Metës nga posti Kryetari i Parlamentit është një parakusht për një hetim të besueshëm”,  thuhet në njoftimin e Partisë Demokratike.

Të njëjtin qëndrim lidhur me kriminalizimin e institucioneve më të larta politike dhe administratës shtetërore, Basha e ka mbajtur dhe ne takimin qe zhvilloi me nënkryetarin e grupit parlamentar të partisë popullore të Austrisë, Werner Amon.

Gjatë këtij takimi kreu i opozitës e siguroi Amon për vendosmërinë e plotë të Partisë Demokratike për t’i shkuar deri në fund së bashku me qytetarët shqiptarë procesit të dekriminalizimit.

Top Channel