Doshi: Bami nën terror psikologjik, po detyrohet të deformojë te vërtetën

15/03/2015 00:00

Sërish me anë të një postimi në “Facebook”, deputeti Tom Doshi ka reaguar lidhur me hetimet për çështjen e denoncuar prej tij.

“Kam bërë publike mungesën e besimit ndaj institucionit të Prokurorisë, çështje për të cilën në mënyrë të arsyetuar i jam drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm. Kam rezerva të arsyeshme në lidhje me hetimin, të cilat në respekt të institucionit dhe të funksionit që mbaj si pjesë e legjislativit, i kam bërë e do i bëj prezent konform ligjit. Pavarësisht kësaj, në respekt edhe të opinionit publik, jam i detyruar të jap vlerësime në lidhje me procesin, për aq të vërteta sa dihen publikisht”, shkruan Doshi në “Facebook”.

Me tej, ai konstaton se hetimet mbi këtë çështje kanë qenë me dy standarde, pasi Durim Bami, sipas tij, mbahet i arrestuar dhe nën terror psikologjik, ndërsa ndërmjetësi i krimit, Fatjon Skënderi, pasi thirret me ndërmjetësim të dyshimtë nga Gjermania, i jepen garanci se nuk do ketë asnjë masë shtrënguese ndaj tij dhe nuk ka në fakt.

“Në dukje, hetimi nga prokuroria e kësaj çështjeje në të cilën autor është edhe numri dy i shtetit, ngjan mision i pamundur, por ju garantoj se jam besimplotë që, me prova të pakundërshtueshme dhe ndihmën e ndërkombëtarëve kjo do të bëhet e mundur shpejt. Natyrisht, për këto diferencime në hetim do të njoftoj të gjithë institucionet përgjegjëse, por edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë të akredituar në Republikën e Shqipërisë”, e mbyll reagimin e tij deputeti Tom Doshi.

Top Channel