Policia reagon ndaj akuzave të PD-së: Skënderi nuk ka qenë person në kërkim

15/03/2015 00:00

Pas deklaratave të Partisë Demokratike ka reaguar dhe Policia e Shtetit. Përmes një njoftimi për shtyp, policia bën të ditur se, lidhur me akuzat për lejimin e kalimit të Fatjon Skënderit në Rinas, ky person, sipas Policisë së Shtetit nuk ka qenë i shpallur kurrë në kërkim nga ana e tyre apo e prokurorise.

“Në datën 1 Shtator 2014, shtetasi Fatjon Skënderaj ka qenë objekt i një atentati në Tiranë, ngjarje për të cilën pas referimit nga Policia në Prokurori, kjo e fundit ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “vrasjes me paramendim e mbetur në tentativë”. Më pas, Drejtoria e Policisë e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, si kontrolli i banesës së tij, shoqërimi i tij në komisariat dhe i personave të tjerë që kishin dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe veprime të tjera me metodat speciale të hetimit.

“Në kohën kur ka dalë jashtë Shqipërisë shtetasi Fatjon Skënderi nuk ka pasur asnjë shkak ligjor për t’u penguar”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.

Po ashtu, Policia hedh poshtë si të pavërteta dhe akuzat për lejimin e një shtetasi kolumbian të kalonte në Pikën Kufitare, i cili sipas PD-së, ishte i përfshirë në trafikun e kokainës në Xibrakë.

“Në kohën kur partnerët më prestigjiozë ndërkombëtarë falenderojnë punën e Policisë së Shtetit, nuk e kuptojmë tendencën e një partie politike shqiptare për të zbehur rolin e policisë, duke sajuar të pavërteta. Hetimet nuk kanë përfunduar, pasi Policia dhe Prokuroria në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë po vazhdojnë me intensitet hetimet për zbulimin e antarëve të tjerë të këtij rrjeti të trafikut ndërkombëtar”, përfundon reagimi i Policisë së Shtetit.

Top Channel