Lufta civile në Siri, Kerry: Duhet të flasim me Asadin

15/03/2015 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry deklaroi se më në fund Shtetet e Bashkuara do të negociojnë me Presidentin sirian, Bashar al-Asad.

Gjatë një fjalimi në përvjetorin e katërt të luftës civile, Kerry u shpreh se konflikti është “një nga tragjeditë më të rënda që njerëzimi ka parë”, duke pohuar se Shtëpia e Bardhë është përpjekur gjatë për të krijuar ura bashkëpunimi, si edhe për të gjetur një zgjidhje politike, e cila duhet t’i japë fund luftës.

Sekretari amerikan i Shtetit shtoi se, “gjithkush ka rënë dakord që nuk ka vend për ndërhyrje ushtarake, por vetëm për zgjidhje politike”.

Komentet e Kerry-t janë një tregues i qartë se Uashingtoni po e kupton se politika e ndjekur deri tani në Siri nuk po çon askund. Deklaratat e shpeshta se Presidenti Asad është “faktor problematik” nuk kanë rezultuar të kenë sjellë progres. Por nga ana tjetër rritja e aktorit tjetër në Siri, kalifatit të Shtetit Islamik, çon shumë ekspertë të besojnë se në qoftë se Bashar al-Asad largohet nga skena politike, atëherë ISIS do të fitojë më shumë akses, pasi Siria do të zhytej në kaos edhe më të madh.

Lufta civile në Siri, e cila tani është duke hyrë në vitin e saj të pestë, ka marrë jetën e më shumë se 215 mijë njerëzve.

Top Channel