Kosovë, serbët do rikthehen në Qeveri, vendosen kontakte me institucionet e Prishtinës

15/03/2015 00:00

Lista Serbe ka rivendosur kontaktet me Qeverinë e Kosovës dhe javën e ardhshme pritet vendimi final i tyre për rikthim në institucionet kosovare, pas më shumë se një muaji bojkot, në shenjë revolte pasi kryeministri Isa Mustafa shkarkoi ministrin serb Aleksandër Jabllanoviç.

Burime të Top Channel brenda Qeverisë së Kosovës kanë treguar se ditëve të fundit janë zhvilluar disa takime mes përfaqësuesve shqiptarë të koalicionit qeverisës dhe përfaqësuesve të Listës Serbe.

Mësohet se Lista Serbe po kërkon garanci edhe nga ndërkombëtarët që kryeministri Isa Mustafa mos të shkarkojë ndonjë ministër serb për shkak të deklaratave që bënë.

Lista Serbe deri tani nuk ka paraqitur ndonjë kusht për kthim në institucione, por zyrtarët e qeverisë që po negociojnë me serbët, tregojnë se buxheti i komunave të serbëve në veri tashmë është bërë temë e bisedave.

Lista Serbe po kërkon nga Qeveria e Kosovës që buxheti i arsimit dhe shëndetësisë mos të jetë buxhet komunal sikur në komunat tjera, por buxhet të cilin e projekton dhe e propozon Asociacioni i Komunave Serbe të Kosovës që pritet të krijohet së shpejti.

Por, deri tani pala shqiptare nuk e ka pranuar këtë kërkesë pasi do të ishte përtej ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Zyrtarët e afërt me Kryeministrin Isa Mustafa që po e negociojnë kthimin e Listës Serbe në institucione nuk kanë pranuar të flasin zyrtarisht për bisedat që po zhvillohen, por jozyrtarisht thonë se janë shumë afër marrëveshjes.

Kthimi i Listës Serbe në institucione është i nevojshëm për Prishtinën zyrtare për shkak të ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, pasi për ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës duhen edhe dy të tretat e minoriteteve.

Top Channel