“Shpërthen” Ibra: Ky vend i qelbur nuk e meriton PSG-në

16/03/2015 00:00

Në një video të regjistruar nga kamerat e rrjetit televiziv francez ‘Infosport’, Zlatan Ibrahimovic u pa shumë i nevrikosur pas humbjes së PSG-së ndaj Bordeux me rezultatin 3-2, ndeshje e zhvilluar pasditen e së dielës.

“Në 15 vite nuk kam parë kurrë një arbitër kaq të paaftë në këtë vend të qelbur. Ky vend nuk e meriton PSG-në”, dëgjohet të thotë suedezi.

Ibra është i nxehur për faktin se arbitri nuk dha një goditje dënimi kur mbrojtësi i Bordeux pasoi topin me këmbë te portieri i tij dhe ky i fundit e kontrolloi me duar. Në aksionin pasardhës, vendasit shënuan golin e fitores me anë të Diego Rolan.

Më vonë, klubi i PSG publikoi një komunikatë me ndjesën e sulmuesit suedez: “Doja të sqaroja se komentet e mia nuk i drejtoheshin Francës apo francezëve. Fola vetëm për futboll. E pranoj humbjen, por nuk mund ta pranoj që një arbitër të mos ndjekë rregullat. Nuk është hera e parë që ndodh kjo. Fola në një moment nervozizmi dhe të gjithë e dimë që në momente të tilla themi gjëra që nuk i mendojmë. Kërkoj falje nëse njerëzit janë ndjerë të ofenduar.”

Top Channel