Seanca ndaj deputetëve Ndoka dhe Ndreu, videoja 7-minutëshe administrohet si provë

16/03/2015 00:00

Gjykata e Lartë ka administruar si provë materiale videon 7-minutëshe, që akuzon dy deputetët e Partisë Socialiste Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu për dhunë ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri.

Sot në seancën gjyqësore të radhës u shfaq videoja e këtij konflikti që ndodhi verën e shkuar, në mjediset e Kuvendit. Videoja u transmetua para të pranishmëve në sallën e gjyqit.

Në seancën e sotme, Pjerin Ndreu u përfaqësua nga avokati mbrojtës, ndërsa Ndoka ishte në sallë, nga ku mësohet se avokati i tij, i cili edhe në seancat e mëparshme ka pranuar dhunën ndaj Strazimirit, është shprehur i gatshëm që çështja të zgjidhet me pajtim.

“Nuk kemi asgjë për të shtuar për videon, – tha avokati Ardian Visha. – Pranojmë goditjen ndaj Strazimirit dhe jemi të gatshëm ta zgjidhim me pajtim”.

Ndërkohë, deputetët socialistë Paulin Sterkaj dhe Olta Xhaçka nuk u paraqitën për të dëshmuar në gjykatë.

Seanca e radhës do të zhvillohet në datën 10 prill, ku pritet të pyeten dy oficerët e Gardës, të pranishëm në korridor kur ndodhi skena e dhunës.

Top Channel