“Krimea iu bashkua mëmëdheut, kurrë më pjesë e Ukrainës”

16/03/2015 00:00

Një vit pas aneksimit të gadishullit, veprim që pati jehonë në mbarë botën e për vetë Moskën, edhe pasoja të përkthyera në sanksione të rrepta ekonomike, Kryeministri i Krimesë thotë se territori i është kthyer atdheut të vet historik rus, e nuk ka për të qenë më kurrë pjesë e Ukrainës.

Në sytë e Sergei Aksyonov, ajo çfarë ndodhi marsin e 2014-s ishte një “akt demokratik”, ndërsa Rusia nuk bëri asnjë gabim.

“Askush nuk mori asgjë. Ishte zgjedhja e vetë banorëve të Krimesë. Asgjë nuk do të ndodhte dot pa mbështetjen e popullatës lokale, prandaj ju them se ai nuk ishte aspak një akt agresioni, por një veprim mëse demokratik”, tha Sergei Aksyonov, Kryeministër i Krimesë.

Vetë Presidenti rus Vladimir Putin, në një intervistë të regjistruar më parë e të transmetuar këtë të dielë, deklaroi se asokohe kishte qenë i gatshëm të përdorte armët bërthamore.

Pohimi i tij ngjalli reagime të menjëhershme, duke zbehur të paktën përkohësisht, spekulimet që rrethojnë faktin e zhdukjes së tij nga jeta publike që prej 5 marsit.

Kremlini këmbëngul se presidenti nuk është i sëmurë e as ka vdekur; madje sot ka të planifikuar një takim me homologun e Kirgistanit, Almazbek Atambayev, në Shën Pjetërburg. Zyra e Atambayev e konfirmoi në faqen e saj të internetit se kreu i shtetit kirgiz ka mbërritur që një ditë më parë në qytetin rus.

Absorbimi zyrtar i Krimesë nga Rusia u bë 18 marsin e vitit të kaluar, pas një referendumi të shumëdiskutuar e të bojkotuar nga banorët e gadishullit, që i qëndruan besnikë Kievit.

Veprimi u pasua nga një valë sanksionesh të Shteteve të Bashkuara dhe bllokut europian ndaj organizatave ruse e disa individëve, ndër të cilët renditej edhe vetë Aksyonovi.

Sa për deklaratat e shefit të Kremlinit lidhur me arsenalin atomik, ato ishin pjesë e një dokumentari me titull “Rruga drejt Mëmëdheut”, ku rrëfente se nuk e kishte menduar asnjëherë që gjendja do të tensionohej aq shumë, deri në momentin e përmbysjes së Viktor Janukoviçit.

“Duke parë kthesën që mori situata, vendosëm armët bërthamore në gjendje lufte. Ishim të gatshëm për të vepruar, pasi Krimea është territori ynë. Atje jetojnë rusë, të cilët ishin në rrezik dhe ne s’mund t’i braktisnim”, ka deklaruar Putin.

Top Channel