Nishani: Të shembim bunkerët e krimit dhe korrupsionit

16/03/2015 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë në Konferencën për 24-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ndër vite”.

Gjatë fjalës së mbajtur, ai i mëshoi idesë së dekriminalizimit të Parlamentit, duke theksuar se “25 vite më parë u shembën bunkerët e komunizmit, ndërsa sot duhet të shemben bunkerët e krimit, korrupsionit dhe paligjshmërisë”.

Presidenti Nishani kërkoi largimin e individëve të implikuar në veprimtari kriminale dhe korruptive, duke mos pasur mundësi t’i afrohen pushtetit.

“Kanosja e krimit dhe korrupsionit nuk duhet të gjejë vend, dhe jo më strehim, në një shoqëri të lirë dhe demokratike, siç duam ta shndërrojmë Shqipërinë tonë”, tha presidenti.

Gjithashtu, thirrja e Presidentit iu drejtua edhe sistemit të drejtësisë, duke apeluar që “të mos bjerë pre e presioneve, pasi askush nuk do të shpëtojë prej forcës së tij”.

Ai gjithashtu u ndal edhe te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar ato si përtej dimensioneve normale, por mes qytetarëve dhe njerëzve.

SHBA-të, përfundoi Presidenti, trajtuan gjerësisht edhe çështjen e shqiptarëve të Kosovës dhe vazhdojnë ta bëjnë atë edhe sot e kësaj dite në rolin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Top Channel