Përpunimi i mbetjeve urbane, Elbasani zgjidh problemin e ndotjes

16/03/2015 00:00

Në Elbasan nisi ndërtimi i impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane, i cili do t’i japë fund problematikës me mbeturinat e këtij qyteti.

Nga trajtimi teknologjik i mbetjeve do të përfitohet energji e gjelbër deri në 17250 mËh në vit. Punimet, që po kryhen nga një kompani italiane, janë inspektuar nga kryeministri Edi Rama.

“Ky tumor i madh, që prej 20 e kusur vitesh stërmundon organizmin e gjithë zonës së Elbasanit, e që u kthye në një problem madhor jetik për të gjithë banorët e zonës, për shkak të një ndotjeje katastrofike të gjeneruar nga fusha e tmerrshme e plehrave, është sot në fazën e një operacioni rrënjesor shërues, me një teknologji të re që futet për herë të parë në Shqipëri”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Këtë impiant, Rama e quajti një model të ri të mbledhjes dhe trajtimit të mbeturinave, i cili do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

“Ky impiant, i cili do të prodhojë një mbështetje energjetike të drejtpërdrejtë edhe për bujqësinë, është një impiant që vendoset për herë të parë në vendin tonë. Ky është zotimi ynë dhe ky zotim po realizohet duke filluar nga ky operacion madhor dhe, ndërkohë që impianti do të hyjë në punë vitin e ardhshëm, fusha për mbledhjen dhe përpunimin e mbeturinave do të hyjë në punë qysh në verën e këtij viti. Për Bashkinë e re të Elbasanit fillon kështu një epokë e re, një rilindje e vërtetë mjedisore”, shtoi më tej Edi Rama.

Ky investim për qytetin e Elbasanit kap vlerën e rreth 22 milionë eurove. Ndërtimi i tij ishte një nga premtimet elektorale të kryeministrit Rama.

Top Channel