Fier, protestë e 50 punëtorëve të sigurisë. 3 muaj pa marrë pagat

16/03/2015 00:00

Rreth 50 punonjës të një kompanie sigurie kanë protestuar mëngjesin e së hënës para zyrave të një kompanie naftënxjerrëse, pasi kanë tre muaj pa u paguar nga kjo kompani, ndërkohë që punën e kanë kryer.

50 punëtorët kishin ardhur për të protestuar nga zonat naftënxjerrëse të Gorrishtit, në Vlorë, dhe të Drenovës, në Mallakastër, deri te zyrat e kësaj kompanie, që ndodhen në aksin rrugor Fier-Patos, në Portëz.

Ata nuk janë paguar që nga muaji nëntor i vitit 2014 e deri më sot. Në fakt, pagat e muajve nëntor e dhjetor ua ka paguar pronari i kompanisë së sigurimit, ndërkohë që kompania naftënxjerrëse nuk e ka paguar firmën e sigurisë që prej nëntorit 2014, në bazë të kontratës dypalëshe të nënshkruar.

Protesta e punëtorëve të kompanisë së sigurisë ka zgjatur për rreth 30 minuta, duke qëndruar para hyrjes dhe duke penguar edhe automjete të firmës, që të hyjnë në institucionin e tyre. Nga kjo situatë është ndërprerë dhe qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor Fier-Patos për disa minuta.

Punëtorët thonë se nëqoftëse drejtuesit e firmës naftënxjerrëse nuk u paguajnë pagat dhe nuk japin një përgjigje zyrtare, ata do të bllokojnë puset e nxjerrjes së naftës, në zonat ku ata janë të punësuar dhe ku operon kjo firmë naftënxjerrëse.

Top Channel