Kina frenon ndotjen e ajrit, për herë të parë në 40 vjet

16/03/2015 00:00

Për të parën herë në 40 vjet, niveli i gazeve shkaktare të efektit serë nuk është rritur dhe merita i takon Kinës. Sigurisht nëse mund të quhet meritë, fakti që njëri prej ndotësve më të mëdhenj të globit e ka frenuar disi nivelin e emetimeve.

Ekonomia botërore po rritet kështu në mënyrë më të pastër. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, me seli në Paris, njoftoi se në vitin 2014 emetimi total i dioksidit të karbonit ka mbetur në të njëjtat nivele me vitin paraardhës, në një kohë kur prodhimi global, sipas shifrave të ofruara nga FMN, është shtuar me 3,3%.

Kina duket e vendosur të reagojë në mënyrë aktive ndaj problemit të ngutshëm të ndotjes, e këtë e dëshmoi qartë edhe autokritika e pazakontë e Kryeministrit Li Keqiang në mbylljen e Kongresit të përvitshëm të Partisë Komuniste.

“Qeveria jonë është e vendosur të luftojë smogun”, tha ai, por përparimi i bërë deri tani ka qenë i limituar në krahasim me pritshmëritë e qytetarëve. Në mbështetje të argumentit, Keqiang shtoi se masat ndëshkuese për ndotësit do të ashpërsohen dhe dukej mjaft serioz në paralajmërimet e tij.

Gjiganti i lindjes ka qenë prej shumë kohësh një prej ndotësve më të mëdhenj të planetit. Raporti i fundit i klimës, i paraqitur në Konferencën e Limës dhjetorin e 2014-s, tregonte se Kina është përgjegjëse për 23,43% nga 32 miliardë tonelata gaz, që dëmtojnë atmosferën. Shtetet e Bashkuara vijnë pas saj me 14,69% dhe e treta renditet Rusia me 4,8%.

Klasifikimi, megjithatë, mund të lexohet edhe ndryshe, në mënyrë disi më politike, duke përllogaritur emetimet për banor, çka do ta vendoste Amerikën në vendin e parë të listës së zezë të ndojtjes, të pasuar nga shtetet e tjera më të industrializuara të globit.

Kina vetë ka përjetuar vitet e fundit një rritje të vrullshme, sa ekonomike po aq edhe toksike, thonë ekspertët. Nga viti 2000 deri në 2011-n, niveli i emetimeve të gazit karbonik në atmosferë nga kinezët ishte pothuajse i barabartë me atë të Britanisë apo Kanadasë, nga 400 deri në 500 milionë tonë gaz. Por nga këtu, pastaj rritja ka qenë marramendëse deri në tavanin e 8 miliardë tonëve.

Top Channel