Kosovë, takim i përbashkët për luftën kundër krimit të organizuar

16/03/2015 00:00

Sot është mbajtur takimi i përbashkët mes krerëve të institucioneve të sistemit të drejtësisë, Policisë së Republikës së Kosovës dhe atyre të EULEX-it.

Në këtë takim, përveç ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, morën pjesë edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peçi, Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, përfaqësuesi i Gjykatës Supreme, si dhe krerët e gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it.
 
Qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi më i mirë, thellimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimi i informatave në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
 
Gjatë këtij takimi, krerët e institucioneve pjesëmarrëse, pasi vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm mes institucioneve vendore të drejtësisë dhe atyre të EULEX-it, ranë dakord që përveç vazhdimit, bashkëpunimi të thellohet me anë të koordinimit sa më të mirë dhe shkëmbimit permanent të informatave mes tyre, me qëllim, siç thanë ata, që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të jetë sa më efikase dhe të ketë një pasqyrë reale në punën që është duke u bërë në luftën kundër këtyre dukurive, njoftohet në një komunikatë për shtyp nga Prokurori i Shtetit.

Top Channel