Veliaj në Nju Jork: Dhuna ndaj grave ndalet me edukim dhe punësim

16/03/2015 00:00

“Edukimi dhe punësimi i grave është një mundësi e mirë për të ndalur dhunën ndaj tyre.” Kreu i Ministrisë së Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, gjatë takimit që zhvilloi në zyrën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, theksoi se për herë të parë, 2/3 e fondit të nxitjes së punësimit shkon për të punësuar më shumë vajza e gra në zonat rurale.

“Është hera e parë që kemi një nga qeveritë më progresiste në Ballkan, ku 1/3 e qeverisë janë gra dhe vajza”, u shpreh Veliaj.

Shqipëria vijon të ketë shifra të larta të dhunës që ushtrohet ndaj grave, por në të njëjtën kohë edhe të denoncimeve të tyre në polici. Ndaj, Veliaj tha se pjesë e zgjidhjes duhet të jetë përfshirja e djemve dhe burrave në këtë fushatë kundër fenomenit të dhunës.

“Duhet të kuptojmë që një burrë i fortë nuk është ai që ushtron dhunë, por burrë i fortë është i sjellshmi dhe dinjitozi”, shtoi ministri Veliaj.

Komisioni për Statusin e Gruas në OKB ka shërbyer si organ përgatitor për Konferencën e katërt Botërore në vitin 1995 për Gratë, i cili miratoi Deklaratën e Pekinit dhe Platformën për Veprim.

Top Channel