Bulqizë, shtohen virozat gripale të stinës

16/03/2015 00:00

Prej ditësh, pranë Spitalit të Bulqizës vijon të ketë fluks pacientësh, të prekur nga virozat gripale të stinës.

Sipas burimeve spitalore, çdo ditë, dhjetëra pacientë paraqiten për të marrë mjekim për gjendjen gripale të tyre. Po sipas të njëjtave burime, rezulton se më të prekur nga këto viroza janë fëmijët dhe persona të moshës së tretë.

Pas vizitave, një pjesë e mirë e pacientëve që kanë shkuar për të marrë ndihmë janë shtruar në spital, kryesisht ata që kanë qenë në gjendje më të rëndë, duke bërë që pavijonët e spitalit të mbushen me të shtruar, ndërsa Urgjenca deri në masën 60%.

Ndërsa të tjerë kanë marrë mjekimin e duhur për ta vazhduar atë në kushtet e shtëpisë.Virozat kanë prekur kryesisht fëmijë të moshës 1 deri në 5 vjeç, por edhe moshat e treta.

“Rastet me sindroma të rënda i kemi dërguar në Spitalin Rajonal të Peshkopisë”, thotë drejtori i spitalit, Shahin Kaja, sipas të cilit, problematike vijon të mbetet për spitalin e Bulqizës mungesa e mjekëve specialistë, sidomos e mjekut pediatër.

Ndërkohë, raportohet se nuk ka pasur probleme sa u përket medikamenteve.

Top Channel