Borxhet e energjisë, jo titull ekzekutiv. HEC-et nuk mund të bllokojnë kompanitë publike

16/03/2015 00:00

Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese votoi projektligjin, që u heq të drejtën prodhuesve të vegjël të energjisë dhe kompanive të përmbarimit të ngrijnë llogaritë e kompanive publike KESH, OSHEE dhe OST për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore.

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri tha se kjo është një masë e përkohshme, që kërkohet si pasojë e gropës financiare në sektorin energjetik, pavarësisht rritjes së arkëtimeve dhe uljes së humbjeve në rrjet.

“Vetëm për vitin e kaluar janë paguar 276,8 milionë lekë në favor të shoqërive përmbarimore private. Ne këtë projektligj e kemi të domosdoshëm që të miratohet, edhe për vetë faktin që duam t’i shpëtojmë disa parà, që u shkojnë disa ndërmjetësve apo përmbaruesve privatë, të cilët marrin parà sa herë merr kredi shteti, në një kohë që kjo shumë duhet të shkonte për përmirësimin e sektorit dhe jo për të pasuruar disa individë”, tha ministri Gjiknuri.

Kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi propozoi caktimin e një afati konkret për shfuqizimin e titullit ekzekutiv të faturës së energjisë elektrike, që blihet nga HEC-et e vogla, që mund të jetë dhjetori i vitit 2017 apo janari i 2018-s, kur siç parashikon Qeveria, sektori mund të dalë nga kriza.

Borxhi në total kap shifrën e 1.1 miliardë dollarëve, por ministri Gjiknuri tha se kjo shifër është ulur me 150 milionë dollarë, si pasojë e masave të ndërmarra deri tani. Referuar borxheve ndaj HEC-eve, ministri tha se do të shlyhet në masën 100% brenda 6 muajve që vijnë.

“Është një detyrim diku te 30 milionë dollarë, sepse një pjesë të tyre e kemi likujduar, ndërkohë që edhe përmirësimi financiar i Koorporatës, për shkak të pagesave më të shumta që po bën Operatori i Shpërndarjes ka mundësuar likujdimin e një pjese të këtij borxhi. Qeveria, në këtë rast KESH, do të detyrohet të marrë kredi për të shlyer pjesën e mbetur”, shtoi më tej Gjiknuri.

Ndërkohë, Qeveria ka bërë të ditur se po kryen në afat pagesat e faturave korrente për çdo muaj të këtij viti.

Top Channel