Hashash në vaj ulliri, kapen në Portin e Vlorës 15 kilogramë drogë

16/03/2015 00:00

Rreth 15 kilogramë lëndë narkotike janë kapur mesditën e sotme nga Policia e Vlorës. Droga u gjet e fshehur në një bidon me vaj ulliri në autobusin që do të imbarkohej në traget për në Itali.

Policia, gjatë kontrollit të automjetit me anë të qenit antidrogë, ka gjetur sasinë e hashashit.

Bidoni me vaj ulliri i ishte dhënë shoferit të autobusit si porosi për një person që jeton në Itali, ndërkohë që shoferi është marrë në pyetje për të zbuluar dërguesin dhe marrësin e sasisë së drogës.

Një tjetër sasi droge është sekuestruar po gjatë ditës së sotme. Në autobusin e linjës Tiranë-Athinë, me targë KO 7579B, është gjetur 30 kilogramë hashash. Policia e Korçës ka njoftuar se kjo sasi ishte brenda një çante.

Kanabisi u kap në dalje të pikës kufitare të Kapshticës dhe mendohet se destinacioni i tij ishte Greqia.

Policia po punon për identifikimin e zotëruesit të lëndës narkotike.

Top Channel