Mirëmbajtja e rrugëve, qeveria: S’kemi fonde, e vetmja zgjidhje është taksimi

16/03/2015 00:00

Për të qarkulluar në disa prej akseve më të rëndësishme në vend qytetarët do të taksohen nga koncesionarët që do të garantojnë mirëmbajtjen e rrugëve.

Ministria e Transporteve thotë se fondi për mirëmbajtjen është i pamjaftueshëm dhe se qeveria konsideron si të vetmen mundësi dhënien me koncension të rrugëve dhe taksimin e qytetarëve.

“Aktualisht fondi është 10 milionë euro, është sa një e treta e asaj që kemi nevojë. Eshtë vlerësuar se duhen 30 deri në 40 milionë euro”, deklaroi Argita Totozani, drejtoreshë e Integrimit pranë Ministrisë së Transporteve.

Deputetët në komision votuan projektligjin që i hap rrugë hartimit të një strategjie për taksimin rrugor në bashkëpunim me kompaninë konsulente “Egnatia Odhos”, e përzgjedhur nga BERZH si ofruese e fondit.

Strategjia, që do të përfundojë në 8 muaj, do të caktojë rrugët që do të taksohen në funksion të cilësisë dhe mjeteve që qarkullojnë në to.

Top Channel