Korrupsioni, lufta vetëm me deklarata

16/03/2015 00:00

Megjithëse me ndryshimet në ligj vepra e korrupsionit u kalua për kompetencë tek Krimet e Rënda, gjykimi i kësaj vepre nuk ka zënë as një për qind të gjithë çështjeve të gjykuara për vitin 2014.

Çka do të thotë se pavarësisht se flitet për një perceptim të lartë ndaj korrupsionit, statistikat tregojnë se edhe për 2014 trafiku i drogës ka zënë 59 për qind të volumit të punës të gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, duke lënë në vend të dytë vrasjet për shkak të marrëdhënieve familjare dhe vrasjet për gjakmarrje me 14 për qind dhe në vend të tretë gjobëvëniet me 12.2 për qind.

“Kanë zënë vend shumë të madh personat e akuzuar për trafik narkotikësh, 135 të pandehur, pastaj në vend të dytë vijnë të pandehurit të akuzuar për “vrasje për cilësi të veçanta të viktimës”, 16 të pandehur”, deklaroi Sandër Simoni, kryetar i Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Por ndërkohë, gjykata e shkallës së parë për Krimet e Rënda ngre shqetësimin e cënimit të vendimeve gjyqësore. Këto vendime prishen kryesisht për çështjet e gjykuara në mungesë e për këtë trupa gjyqësore sugjeron nevojen e unifikimit të praktikës gjyqësore nga ana e kolegjeve të bashkuara, për rastet kur njoftimi i të pandehurit në mungesë konsiderohet i zbatuar. Megjithatë, për këtë shqetësim replikoi kryetari i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.

“Gjykatësit e shkallës së parë ankohen, herë me të drejtë e herë jo, se është kuptuar dhe zbatuar gabim një dispozitë ligjore apo vendim unifikues i Gjykatës Kushtetuese dhe se zgjidhjet e Apelit janë të gabuara. Për një vendim të formës së prerë një gjyqtar i shkallës së parë nuk mund të thotë se ia ka futur kot Gjykata e Apelit, sikurse një gjyqtar i Apelit nuk mund të thotë se ia ka futur kot Gjykata e Lartë”, deklaroi Gjovalin Pernoca, kryetar i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Nasip Naço nënvizoi në fjalën e tij jo vetëm nevojën e kthimit të besimit të publikut tek gjykatat, por edhe domosdoshmërinë për reformë.

“Problemi tjetër është reformimi i KLD-së. Gjendja e sistemit gjyqësor ka evidentuar mangësitë dhe mungesë në efiçencë të KLD-së. Gjithashtu, duhen dhe ndryshime të tjera në Konferencën Gjyqësore apo reformimi i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo nuk është thjesht një dëshirë e ministrit të Drejtësisë, por ka dalë nga diskutimet në disa tryeza”, deklaroi Naço.

Top Channel