Luftëtarë gjermanë në krah të separatistëve pro-rusë

16/03/2015 00:00

Mediat gjermane shkruajnë se rreth 100 të rinj nga ky vend luftojnë në lindje të Ukrainës në krah të separatistëve pro-rusë, çka përbën shqetësim për Kievin.

Në pjesën dërrmuese bëhet fjalë për të ashtuquajtur “gjermanë të Rusisë”. Katër prej tyre kanë shërbyer në radhët e ushtrisë gjermane, Bundeswehr, thotë “Welt am Sonntag” duke iu referuar qarqeve të sigurisë.

Disa nga këta milicë me pasaportë gjermane, gazeta ishte në gjendje që t’i identifikonte. Një gjermano-kazak, 33 vjeç, u vra më 12 shkurt në qytetin Debaltsevo. Nga sa pohojnë shokët e tij, personi në fjalë humbi jetën nga një granatë dhe u varros më 25 shkurt në Moskë.

Kievi shprehet gjithmonë e më i shqetësuar prej atij që etiketohet si “turizmi i luftës” nga Gjermania. Ambasadori i Ukrainës në Berlin, Andrij Melnyk i ka kërkuar qeverisë gjermane të kujdeset që qytetarët e saj të mos “shpërngulen edhe më tej në drejtim të Lindjes dhe të mos marrin pjesë në vrasje”.

Për këtë qëllim, pak kohë më parë ai zhvilloi disa takime në Ministrinë e Brendshme dhe të Jashtme gjermane. Burime nga këto ministri pohojnë se ekzekutivi gjerman ka të dhëna për shtetas të veçantë, të cilët kanë qëndruar në pjesë të Ukrainës lindore, të cilat aktualisht nuk kontrollohen nga qeveria ukrainase.

Por, ndryshe nga islamikët gjermanë, të cilët janë bashkuar në Siri me Shtetin Islamik, shtetasit gjermanë që luftojnë në Ukrainën lindore nuk kanë frikë se mund të ndëshkohen, pasi pjesëmarrja në konflikte të armatosura nuk është e dënueshme.

Megjithatë, ekspertët e çështjeve të sigurisë thonë se duhet të shqyrtohet mundësia e penalizimit për shkak të krijimit të një organizate terroriste, ose të paktën personave me nënshtetësi të dyfishtë, në rast të pjesëmarrjes në një luftë civile, t’u hiqet nënshtetësia gjermane.

Top Channel