Lushnje, nëna mbyt djalin; konsumonte drogë dhe ishte i dhunshëm

16/03/2015 00:00

Një krim i rëndë brenda familjes ka tronditur qytetin e Lushnjes, pasi një grua 70-vjeçare ka mbytur djalin e saj.

Burime policore lokale njoftojnë se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, por është zbuluar vetëm paraditen e kësaj të hëne duke tronditur banorët e lagjes “Gafurr Muço”.

Sipas burimeve, 70-vjeçarja Hatixhe Ahmeti e ka mbytur djalin e saj, Albert Ahmeti pas një sherri që kishte nisur kur ky i fundit ishte kthyer në shtëpi në gjendje të dehur.

Pasi e ka rrëzuar në tokë dhe e ka bllokuar me këmbë, gruaja e moshuar ka përdorur disa litarë për të mbytur të birin dhe pasi ia ka arritur qëllimit e ka kaluar gjithë natën me trupin e të ndjerit.

Mëngjesin e së hënës, saktësojnë burimet, gruaja ka hedhur në një kosh mbeturinash litarët e përdorur dhe i ka telefonuar nipit të vet për t’i treguar mbi ngjarjen.

Ky i fundit ka njoftuar policinë, e cila ka vënë në pranga 70-vjeçaren. Gjatë marrjes në pyetje nga agjentët, ajo ka rrëfyer me detaje të gjithë ngjarjen.

Nga burimet mësohet se shtetasi Albert Ahmeti ishte një përdorues i rregullt i alkoolit dhe drogës dhe njëkohësisht një person shumë i dhunshëm.

Disa vite më parë ai kishte përdhunuar nënën e tij, por kjo e fundit e kishte mbajtur ngjarjen të fshehtë ndër vite. Burimet shtojnë më tej se, kohët e fundit ai ishte bëtë edhe më i dhunshëm pasi kishte nisur konsumimin e drogave të forta, gjë që konfirmohet edhe nga fqinjët të cilët thonë se mes nënës dhe të birit kishte pasur shumë zënka.

Të dy ata jetonin vetëm pasi një djalë tjetër rezulton të ketë vdekur, ndërsa dy vajzat e 70-vjeçares jetojnë në Itali.

FOTO GALERI
1/5
Lushnje, nëna mbyt djalin

Top Channel