E gjithë Franca kundër Ibrës: Largohu!

16/03/2015 00:00

Komentet e lëshuara prej Zlatan Ibrahimovic në përfundim të takimit mes Bordosë dhe PSG-së kanë shkaktuar polemika dhe reagimin e gjithë francezëve.

E para që ka kërkuar shpalljen ‘non grata’ të sulmuesit shtatlartë suedez ka qenë kryetarja e Frontit Kombëtar, një parti e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen. Ajo i ka cilësuar si tejet ofenduese komentet e Ibrës dhe të papranueshme për krenarinë franceze.

Me kritika, ndonëse me tone më të buta kanë reaguar edhe politikanë të tjerë, media, gazetarë e artistë. Vala e kritikave detyroi futbollistin ‘rebel’ që të kërkonte ndjesë për komentet e tij, megjithëse u justifikua se gjithçka e thënë ishte në kuadër të futbollit dhe jo për Francën.

Në një video të regjistruar nga kamerat e rrjetit televiziv francez ‘Infosport’, Zlatan Ibrahimovic u pa shumë i nevrikosur pas humbjes së PSG-së ndaj Bordosw me rezultatin 3-2, ndeshje e zhvilluar pasditen e së dielës.

“Në 15 vite nuk kam parë kurrë një arbitër kaq të paaftë në këtë vend të qelbur. Ky vend nuk e meriton PSG-në”, dëgjohet të thotë suedezi.

33-vjeçari vesh për sezonin e tretë radhazi fanelën e PSG-së, sezon që ndoshta është edhe i fundit për të, sidomos pas këtyre komenteve.

Top Channel