Suzana Hoxha, gruaja që gjurmon fatin në lotari

16/03/2015 00:00

Për disa njerëz fati është i shkruar, ndërsa Suzana Hoxha ka vite që
përpiqet ta përcaktojë vetë fatin e saj. Ajo është një lojtare e betuar
pas lotarive dhe – sipas saj – nëse kërkon, një ditë do të gjesh.

“Unë luaj në lojrat e fatit, sepse një ditë mund të fitoj. Thonë disa që nuk fitoj asnjëherë unë, por po nuk luajte nuk të vjen te dera”, thotë Zana.

57-vjeçarja nga Tirana shpenzon shumë për biletat e lotarive. Në një javë ajo mund të blejë deri 17 të tilla. Është pak të thuash se në xhepat dhe portofolin e saj mund të gjesh gjithmonë një biletë, sepse në shtëpi ajo ruan arsenalin e fatit të mbledhur gjatë gjithë vitit.

“Janë me qindra të tilla po t’i numërish. Madje, mbaron viti dhe unë i hedh”, tregon Zana.

Në gjithë këtë investim ndaj fatit, do të ishte ironike nëse Zana nuk do të kishte fituar së paku një çmim. Por në vitin 2011, ajo fitoi një shumë të madhe në një lotari.

“Më thotë burri një ditë, Zana ke fituar. Megjithatë unë do ta kontrolloj dhe një herë biletën. E kontrollova, po aq dilnin numrat”, shprehet Zana.

Por këto parà kaq shumë të pritura, Zana vendosi të mos i mbajë për vete.

“Lekët i shpenzova për bamirësi. Ua dhashë njerëzve që kishin nevojë. Burri tha bëj ç’të duash dhe i shpërndava”, tregon Zana.

Fitorja e Zanës shkoi për shumë të afërm, por paratë që i dhuroi shoqes së saj Dritës, i ndryshuan kësaj të fundit jetën.

“Një pjesë shumë të vogël Zana i mbajti për vete, ndërsa të tjerat i shpërndau për bamirësi ndaj njerëzve në nevojë. Një prej tyre isha unë, atëherë më bëri shumë punë, se isha në një situatë kritike. Mund të ketë shpërndarë për bamirësi 750 mijë lekë. Më bëri përshtypje që i ndau, sepse as unë nuk do ta kisha bërë, atë që bëri ajo”, thotë Drita.

Mesa duket pasurimi nuk është motivi, që e ka lidhur Zanën me lojrat e fatit. Koleksion biletash, një çmim i madh në sirtar, a mjaftojnë këto për të përmbushur sfidën e saj me fatin?

“Nuk heq dorë, sepse edhe kaloj kohën me ato. Heq stresin e përditshëm”, thotë Zana.

Top Channel