Kosovë, prokuroria në Kaos; Hoxha akuza anëtarëve të Këshillit

16/03/2015 00:00

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit në Kosovë, Sylë Hoxha ka pezulluar aktivitetet e Këshillit Prokurorial, duke konfirmuar hapur se organi më i lartë i prokurorisë kosovare është i zhytur në probleme.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, Hoxha njoftoi se ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese mandatet e tre anëtarëve të këshillit, të cilët sipas tij, në kundërshtim me ligjin po qëndrojnë në radhët e tij. Bëhet fjalë për Jetish Malokun, Bajram Ukajn dhe Sevdije Morinën.

Hoxha akuzoi zonjën Morina si kunatë të ish-udhëheqësit komunist dhe besnik të Millosheviçit, Rrahman Morina, ndaj po vazhdon punën për ta larguar nga posti. Akuzat në drejtim të prokurores vijuan edhe në rrafshin profesional, si drejtuese e Prokurorisë Speciale.

Hoxha e vuri theksin tek bashkëpunimi me Prokurorinë për Krimet e Luftës në Serbi, duke theksuar se, si rezultat i ofrimit të dokumenteve kosovare ky institucion ka përndjekur shtetasit kosovarë.

“Në kohën e arrestimeve në lidhje me veprat penale të terrorizmit, ju nuk keni marre pjesë në takime. Kishit arsyetime interesante, se ishit pushim dhe se kishit mysafirë. E nderuara zonja Morina, ju jeni prej rreth 9 muajsh në krye të Prokurorisë Speciale, atëherë si i arsyetoni qindra mijëra euro pagë ndër vite kur nuk keni as dhjetë aktakuza? Si e arsyetoni faktin se gjatë tërë kësaj kohe kjo prokurori ka zhvilluar takime me Prokurorinë për Krime Lufte në Serbi dhe si e shpjegoni që tërë kohën Serbia lëshonte fletë-arreste ndërkombëtare kundër shtetasve të Kosovës me të njëjtat dokumente? A keni dijeni për këtë dhe sa është hisja e përgjegjësisë tuaj si pjesë e stafit drejtues në këtë prokurori”, deklaroi Hoxha.

Reagimi ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit vjen pasi prokurorja Sevdije Morina e ka akuzuar atë se ka penguar zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, duke thënë se në Këshill veprojnë banda kriminale.

Këtë të hënë Hoxha hodhi akuza jo vetëm ndaj koleges së tij, por edhe ndaj të nominuarit për kryeprokuror, Aleksandër Lumezi, si pjesë e një grupi të formuar që, siç thotë ai, po bëjnë luftë speciale kundër tij.

“I nderuar zoti Lumezi, askush nuk duhet të ndihet i kercënuar dhe askush nuk duhet të përçojë mesazhe lidhur me kërcënimet. Posti i Kryeprokurorit të Shtetit nuk ju jep as autorizim të ndiqni dikë për shkak të shprehjes së mendimit të lirë, apo për shkak të kryerjes së detyrimeve që rrjedhin me ligj. Kosova është shoqëri demokratike dhe jo autokratike. Këtu vendos ligji dhe jo individi. Apo me ardhjen tuaj, Prokuroria e Shtetit do të vendoset nën masa të dhunshme dhe do të fillojnë spastrimet”, u shpreh Hoxha.

E ndërsa prokurorët Sevdije Morina dhe Idain Ismajli kanë nisur proçedurat për shkarkimin e Hoxhës, presidentja Jahjaga nuk e ka dekretuar të nominuarin e Këshillit Prokurorial Aleksandër Lumezi, pasi çështja ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese, nën dyshimin se gjatë procesit të nominimit ka pasur një seri shkeljesh ligjore.

Top Channel