Protesta e të rinjve të PD, Ristani: Deri kur Meta të largohet

16/03/2015 00:00

Të rinj të Partisë Demokratike u mblodhën para Kryesisë së Kuvendit për
të ripërsëritur kërkesën e opozitës për dorëheqjen e kryetarit të
Kuvendit, Ilir Meta.

Të rinjtë me parrulla në duar “Meta ik” i vizitoi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani.

“Nuk e duam këtë shtet që ju mashtroi, shtet që mashtroi për vende të reja pune, për shëndetësi falas, për taksa më të ulta, shtet që nuk bën asgjë për këtë vend, që po zhyt Shqipërinë në borxhe, por kryesorja është inkriminimi. Shtet që po na kthen në ‘90, kur të gjithë bërtisnin që e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Nuk na pranon Europa me të inkriminuar,ndaj Ilir Meta duhet të japë dorëheqjen që drejtësia të punojë e qetë dhe mirë. Me Ilir Metën në krye nuk mund të ecim përpara”, tha Ristani.

Më tej numri dy i demokratëve tha se të rinjtë e PD janë të vendosur të protestojnë çdo ditë deri kur Meta të japë dorëheqjen. Në fund ai ftoi të gjithë qytetarët që t’i bashkohen protestës së ditës së enjte përpara godinës së Kuvendit.

Top Channel