Karta e fundit e Netanyahut: Nëse rizgjidhem s’do ketë shtet palestinez

16/03/2015 00:00

Uniteti i Jeruzalemit do të ruhet në të gjitha pjesët e tij, sikurse do të vazhdojë fortifikimi i qytetit për të ndaluar çdo ndarje të mundshme në të ardhmen.

Kështu ka deklaruar kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu, që këtë të hënë, në prag të zgjedhjeve, ka vizituar koloninë hebraike Har Homa në afërsi të Jeruzalemit lindor.

Një ditë më parë Netanyahu dha një intervistë për portalin izraelit NRG, ku tha se, nëse do të rifitojë zgjedhjet do t’i kundërvihet lindjes së shtetit palestinez.

Ai shtoi se, Izraeli ndodhet përballë një presioni të fortë ndërkombëtar, përmes të cilit kërkohet që vendi të kthehet në kufijtë e ’67 dhe ndarja e Jeruzalemit.

Janë rreth 6 milionë izraelitët që ditën e martë do të votojnë për zgjedhjet politike, për t’i dhënë vendit një qeveri të re.

Në garë janë 25 parti, përfshirë shumë lista pakicash, por ato që mund të kalojnë pragun elektoral prej 3.25 për qind janë, sipas sondazheve të fundit, vetëm 11.

Në lojë janë 120 ulëset e Knesetit, përfaqësia e vetme parlamentare e vendit, që ka arritur në legjislaturën e 20. Rivalët kryesorë janë dy forca politike:

Nga njëra anë Likudi i djathtë i udhëhequr nga kryeministri Netanyahu, prej 9 vitesh në pushtet; dhe nga ana tjetër Kampi Sionist, aleanca e qendrës së majtë e përbërë nga Isaac Herzog, kryetar i laburistëve dhe Tzipi Livni, udhëheqëse e Hatnua (Lëvizja).

Sondazhet e fundit sugjerojnë një shkëputje prej 4 mandatesh në favor të Kampit Sionist, që parashikohet të marrë 24 ose 25 ulëse, kundrejt Likudit me 20 deri në 21 ulëse.

Top Channel