Më në fund shfaqet, Putin: Jeta, e mërzitshme pa thashetheme

16/03/2015 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin është rishfaqur më në fund publikisht dhe ka qeshur me spekulimet mbi shëndetin e tij.

Në daljen e parë publike që prej 5 marsit, Putin është shfaqur përkrah homologut kirgiz Almazbek Atambayeve, gjatë të cilit ka thënë se, “jeta do të ishte e mërzitshme pa thashethemet”.

Në pamjet filmike të transmetuara nga televizionet ruse, Putin shfaqet në takimin e zhvilluar në Shën Pietërburg i qetë dhe i qeshur.

Zhdukja e tij nga jeta publike kishte shkaktuar një seri spekulimesh mbi gjendjen e tij, që nga sëmundja e deri tek rënia nga një grusht i brendshëm shteti apo shtatëzënia e partneres.

Më herët gjatë së hënës, presidenti 62-vjeçar urdhëroi Flotën Veriore të Marinës Ruse që të jetë në gatishmëri të plotë luftarake në Arktik.

Thirrja e tij erdhi pasi mbi 45 mijë trupa, si dhe avionë e nëndetëse, nisën një stërvitje madhore ushtarake në veri të Rusisë.

Në televizionet ruse u transmetua një video e shkurtër e takimit mes Putin dhe presidentit kirgiz, zhvilluar në Pallatin Konstandin të qytetit të dytë më të madh të Rusisë.

Në pamje të parë nuk kishte asnjë shenjë se Putin ishte sëmurë apo vuante nga ndonjë problem, raporton korrespondenti i BBC në Moskë, Richard Galpin.

I pyetur nga gazetarët mbi spekulimet mbi shëndetin e tij, shefi i Kremlinit u shpreh: “Jeta do të ishte e mërzitshme pa thashetheme”.

Top Channel