PD: Asistencë ndërkombëtare për akuzat ndaj Metës

16/03/2015 00:00

Në zhvillimet e mëvonshme në Komitetin e Stabilizim-Asociimit, deputeti i PD, Aldo Bumçi iu drejtua sërish eurodeputetëve, duke u kërkuar atyre asistencë ndërkombëtare për akuzën e ngritur ndaj kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta nga deputeti Tom Doshi.

“Një deputet i mazhorancës, Tom Doshi, tha këtë muaj se kishte një tentativë vrasjejeje ndaj tij dhe një deputeti tjetër nga opozita të urdhëruar nga Ilir Meta. Ne kërkuam dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, si kusht për një hetim të pavarur e të pandikuar. Ne besojmë se në kushtet kur Ilir Meta është kryetar Parlamenti nuk mund të ketë hetim të pandikuar, ndaj kërkojmë asistencë dhe ekspertizë ndërkombëtare në hetimin për akuzën më të rëndë në këto 25 vjet”, deklaroi Bumçi.

Nga mazhoranca replikoi deputeti Taulant Balla, i cili deklaroi se, fillimisht duhet pritur hetimi i prokurorisë, e cila duhet ta bëjë e qetë punën e saj. “Por nëse edhe kryeprokurori Llalla sulmohet nga Partia Demokratike, atëherë i bie që ju të keni një problem me institucionin e prokurorisë”, deklaroi Balla.

Mes të tjerash ai shtoi se, “pres nga kryetari aktual i partisë tuaj që të përgjigjet në prokurori për disa akuza, përfshirë atë për vrasjen e 4 qytetarëve në bulevard kur ishte ministër i Brendshëm e që drejtonte planin për mbrojtjen e Kryeministrisë”.

Top Channel