Drafti i negociuar Shqipëri-BE: Dekriminalizimi, shqetësim kritik

16/03/2015 00:00

Zbatimi i marrëveshjes për dekriminalizimin e politikës dhe hetimi i shpejtë dhe i plotë i akuzave të forta që kanë shpërthyer në politikën shqiptare janë dy prej 14 pikave të përfshira në draft-rezolutën mes Shqipërisë dhe BE-së, që po diskutohet në takimin e tetë parlamentar të stabilizim-asociimit këtu në Tiranë.

Drafti nis me mbështetjen e plotë të BE-së për rrugën integruese të Shqipërisë, si e vetmja alternativë për të ardhmen e vendit, por në të bëhet e qartë se hapja e negociatave është gjerësisht e mbështetur vetëm nga shpejtësia e Shqipërisë në përmbushjen e reformave kyçe.

Implementimi i plotë i marrëveshjes së 24 dhjetorit PS-PD për dekriminalizimin, nënvizohet në këtë draft si një domosdoshmërie kritike, nga të gjitha forcat parlamentare. Si i tillë shihet gjithashtu dialogu politik për reformat, që përcaktojnë rrugëtimin europian të Shqipërisë.

Në draft shprehet shqetësimi për zhvillimet e fundit në vend, që lidhen me akuzat kriminale të bëra nga deputetë të Parlamentit shqiptar, dhe nxitet hetimi i shpejtë dhe i plotë nga autoritetet e drejtësisë, çka do të parandalonte përkeqësimin e klimës politike në vend.

Top Channel