Aksi Kardhiq-Delvinë duket jetim që prej kohës kur u la në mes si shumë premtime të tjera që jepen e nuk përfundojnë kurrë. Disa kilometra më tej një shteg hidhet përpjetë frikshem, e gjithë zona ka mbetur menjanë, fshatra të tërë kanë humbur bashkë me kohën që ngrihet nxitimthi mbi gurin e lartë të Cepos.

Pjesë e një zone ku historia ka lënë kudo gjurmë të qarta, Plesati përpiqet sot të mbijetojë me vështirësi. Largimi në masë i banorë po i heq çdo ditë frymëmarrjet, ndërsa të mbeturit çapiten pa mundur të kthejnë realitetin e zymtë që ka vënë fshatin nën një morsë të fortë harrese dhe braktisje.
 
Këtej duket sikur ndihen ende trokëllimat e çetave të shumta që iknin e vinin, të mbledhjeve të kryengritësve të viseve të jugut, që nga Manastiri i Çepos merrnin vendimet për t’u përballur me osmanët e grekët. Këtu në këtë vend është porta e një krahine që ka folur me zërin e luftëtarëve të saj nga Çelo Picari, Çerçiz Topulli, Sali Nivica, Çobo Golemi e Sulo Beqiri, tek Bajram Ligu e Hito Lekdushi, Selam Musai, Halil Sullo e Hasan Xhiku e shumë figura të tjera deri në luftën nacional-çlirimtare. Të gjithë e kanë prekur këtë manastir historik e me vlera të rralla duke e kthyer në një ndër vendet simbol të kuvendeve e mbledhjeve të lebërve.
 
Pak kilometra më tej me rrugën që vetëm emrin ka të tillë, ngrihet Plesati. Aq shumë ndjehet i lënë menjanë mes shtëpive të rrënuara e të braktisura sa shpesh duket sikur çetat  e asokohe do të kalojnë sërish këtyre anëve për të thyer këtë heshtje mbytëse. Edhe pse fshati ngrihet veç 5.5 kilometra nga rruga kryesore. Dikur ka patur mëse 430 banorë, ndërsa sot ata janë jo më shumë se 40 e masa dërrmuese janë të moshuar.

“Ne nuk duam asnjë gjë tjetër. As bukë, as gjellë, se ushqehemi vetë me djersën tonë, punojmë me sakrificën tonë, duam vetëm xhaden. Disa fonde kanë ardhur për fshatin tonë dhe asnjëherë nuk është bërë xhadja tek neve”, thotë Ganime Shehu, banore e fshatit.
 
Banoret e Plesatit jetojnë me kokën pas. ”Na ishte dikur” është  sot shprehja që përdorin shumica e tyre. Ndoshta sepse zërat e njerëzve i ka zëvendësuar heshtja e rrënuar e mureve.
 
“Më përpara këtu ishte dyqani i shtetit, dyqan fshati, furre buke, kopësht, çerdhe, infermier, ç’të të them?! Nuk mungonte hiçgjë. Po sot? Sot nga ato s’kemi hiçgjë. Asgjë nga ato. Vemi i marrim ushqimet në Gjirokastër ose te ura e Kardhiqit me kafshë”, rrëfen Hazbi Shehu.

“Bëheshin rreth 1100 kuintal gështenjë, 500 kuintal qershi që mblidhte kooperativa, ishin dy brigada, me 110 forca pune. Ishte gjë e ngritur në njëfarë mënyre dhe jetohej”, kujton Abil Zholi.

“Këtu ka patur investim edhe në ujësjellësin e fshatit. Ka pasur çdo shtëpi ujë këtu, sot s’ka”, shton Adriatik Hysa, një tjetër banor i fshatit.
 
Furnizimi me ushqime bëhet vetëm me kafshë. Mos paç një të sëmurë se atëherë, siç thonë, të ndihmoftë veç Zoti!
 
“Para dy vjetësh m’i bëri vajzës reaksion një ilaç dhe ika dy orë në këmbë është rruga. Unë e bëra për gjysmë ore, copa-copa kur i thonë se e kisha në gjendje kritike vajzën”, tregon Zana Hida.

“Na dalin burrat me kafshë edhe miellin e marrim një herë në vit se s’del makinë tani në Dimër. Le që s’kemi, por edhe s’del”, thotë Luiza Shehu.

“Jemi të sëmurë më ka hipur tensioni 18 me 10, ku të vete? E zura fshatin me radhë e nuk gjeta një aparat që të më masë një çik tensionin”, thotë Alime Batha.
 
Të gjithë duan të ikin, të shkojnë ku të munden për t’i shpëtuar izolimit aktual. Shumica e të rinjëve qëndrojnë papunë qytetit, kur me një infrastrukturë të denjë do të mund të punësoheshin në tokat e tyre. Këto janë projekte dhe investime disa herë më serioze që japin më shumë rezultate se sa fjalët e përdorura statistikave boshe për rritjen e punësimit.
 
“Po çfarë bëjnë?! Tërë ditën rrugëve se punë s’ka ku do venë?! Pijnë kafe, pa punë, pa punë të gjithë. Po të ishin këtu do merreshin me diçka, me blegtori a me bujqësi, me ato që ka fshati, që ka patur që më përpara”, thotë Lorenc Muhameti.

Dhe leverdia ashtu është që të punësohen njerëzit. Pse të mos punesohen në tokën e tyre, por të venë në Greqi pa shpresa fare?!
 
Në këtë fshat ka shumë zhgënjim, banorëve u duket sikur nuk ekzistojnë as në hartë. E ndoshta kanë të drejtë sepse Plesati nuk rezulton kurrkund në tabelat rrugore. Mos ndoshta politika e ka shitur tjetërkund? Në të vërtetë fshati duket si pjesë e një legjende a thua se ka mbetur atje tej në kohët e shkuara.
 
“Po të them të drejtën që Plesati në këtë sistem nuk ja ka vërshëllyer hiç njeri, qoftë të majtët, qoftë të djathtët. Unë i majtë jam, por jam i prekur të them të drejtën jam i zhgënjyer. Eja ky deputeti, do bëjmë këtë, eja ky tjetri do bëjmë këtë. Në këtë fshat nuk kanë vënë dorë asnjë sistem.
 
Tutje në zbritje rruga kryesore duket sa afër, aq edhe larg. Pas mbetet guri i lartë i Manastirit të Çepos, historitë e tij, motet kur në këtë zonë merreshin vendime për të shpëtuar këtë pjesë të Shqipërisë, kohët kur fjala e besa kishin ende një peshë, ashtu si burrat që e jepnin, e që sigurisht s’kishin asnjë lidhje me politikanët e premtimet e sotme.

Top Channel