Tirana ndalet në Durrës, Partizani shkatërron Elbasanin

16/03/2015 00:00

Pas humbjes në derbin e kampionatit me partizanin ditën e premte në “Qemal Stafa” Tirana bën një tjetër hap fals dhe i largohet gjithnjë e më shumë objektivit; fitimit të titullit kampion.

Bardheblutë janë ndalur në një barazim pa gola në Durrës nga Teuta vendase, ndërkohë që në “Qemal Stafa” Partizani i Shpëtim Duros fitoi 4-1 ndaj Elbasanit, pavarësisht se mbylli pjesën e parë në disavantazhin e një goli.

Kjo është hera e parë që Partizani shënon katër gola në një ndeshje këtë kampionat, e aq më tepër që të gjithë në pjesën e dytë.

Ndërkohë, më herët në Kukës vendasit fituan 4-0 përballë Flamurtarit, ndërsa Laçi mundi 2-0 Apolloninë.

Në përfundim të javës së 27-të, Skënderbeu mban kryesimin me 57 pikë, ndjekur nga Kukësi me 55 në vendin e dytë dhe Partizani 53 në vendin e tretë. Tirana me pikën e fituar në Durrës ngjitet në 51 pikë në vendin e katërt, por tashmë e kërcënuar nga Laçi që ka 50 pikë.

Top Channel