Siria, Assad në pritje të kontakteve nga SHBA

16/03/2015 00:00

Presidenti i Sirisë, Bashar al Assad pret “veprime” nga Shtetet e Bashkuara pasi sekretari i Shtetit John Kerry deklaroi se në negociatat për t’i dhënë fund konfliktit sirian duhet të përfshihet edhe ai.

Assad deklaroi se do të mirëpresë çdo ndryshim “të sinqertë” qëndrimi, por vuri në dukje se bisedimet për të ardhmen e tij u takojnë vetëm qytetarëve sirianë dhe se, të gjitha deklaratat nga jashtë nuk do të merren në konsideratë.

Opozita e mbështetur nga Perëndimi dhe grupet rebele prej kohësh insistojnë se presidenti mund të ketë një rol të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

Mbi 220 mijë persona mendohet të jenë vrarë që nga nisja e protestave kundër regjimit 4 vjet më parë, ndërkohë që 11.5 milionë të tjerë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.

Ditën e diel, Kerry tha për CBS News se, qeveria amerikane po punon bashkë me palët e tjera të interesuara mbi mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit.

I pyetur nëse Uashingtoni do të jetë i gatshëm të negociojë me zotin Assad, Kerry tha: “Në fund do të na duhet të negociojmë”.

Ndërsa zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Marie Harf deklaroi më vonë se, komentet shënojnë një ndryshim të politikës, por theksoi se administrata amerikane nuk është ende e hapur për bisedime direkte me Assad.

“Për shkak të nevojës ka qenë gjithmonë e rëndësishme që një përfaqësues i regjimit të Assad të jetë pjesë e procesit. Nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë zoti Assad që do të negociojë dhe sekretari nuk donte të thoshte këtë”, deklaroi zëdhënësja.

Top Channel