“Shqip”, tre muaj nga zgjedhjet vendore, kush janë kandidatët?

16/03/2015 00:00

Edhe 3 muaj na ndajnë nga zgjedhjet për pushtetin vendor, që zhvillohen për herë të parë me ndarjen e re, ku kryetarët e njësive, tashmë të reduktuara në 61 do të jenë “administratorë” të hapësirave relativisht të mëdha në sipërfaqje, por të mëdha edhe në banorë.

Beteja më e ashpër, ashtu si çdo herë që ka pasur zgjedhje të tilla do të përqendrohet në qytetet e mëdha, e sidomos në kryeqytet,  Tiranë. Kush do të jetë kandidati i PS-së dhe LSI-së në Tiranë? Po opozita kë do të vendosë përballë? A do të rikandidojë Lulzim Basha apo do t’i hapë rrugën një kandidati a kandidatje tjetër? Kush janë cilësitë që e bëjnë një kandidat të favorizuar për  zgjedhjet vendore dhe si po përzgjidhen kandidatët e majtë dhe kandidatët e opozitës?

Këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera u munduan t’u japin përgjigjje të ftuarit në takimin e kësaj të Hëne në emisionin Shqip me gazetaren Rudina Xhunga.

I pari që mori fjalën ishte Ministri i Shtetit për Çështjet e Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi. Ai tha se aktualisht koalicioni i majtë është në fazën e procesit për ngritjen e formulës për të përzgjedhur kandidatët.

“Po tregojmë që për herë të parë, ndryshe nga herët e tjera, kur thjeshtë bëhej një ndarje, ne po bëjmë një proces krejt tjetër. Ka një ndarje, por thuhet që e drejta për të propozuar kandidatin e ka LSI përshembull në 15 bashki. Por jo domosdoshmërisht emri i parë që do të jetë në listë do të jetë kandidat, dhe jo domosdoshmërisht mund të jetë nga ajo parti. Në këtë moment jemi në fazën që në bazë të peshës elektorale që ka treguar çdo parti në zgjedhjet e përgjithshme, bëhet një lloj ndarje paraprake dhe thuhet që në këto 15 bashki do jesh ti i pari që do nxjerrësh kandidatët”, tha Çuçi, duke iu referuar marrëveshjes së arritur mes dy partive të mazhorancës.

Dashamir Shehu u ndal tek gara për kryeqytetin. Ai tha se opozita nuk ka nisur ende bisedimet për kandidatin.

“Duhet të mbyllet njëherë e mirë një cikël që të flasim për një kandidat, a do të kandidojë Basha apo jo? Nëse do të kandidojë është në të drejtën e tij morale, kjo histori mbyllet. Nëse nuk do të kandidojë atëherë do të ulemi të diskutojmë se cilët do të jenë personazhet. Unë mendoj që Basha i bën mirë opozitës në Tiranë. Basha përfaqëson një personazh, është në krye të opozitës dhe mbart vlerat e mjaftueshme për të rikandiduar. Por nëse nuk do rikandidojë do të hapim një libër të ri, që do të diskutojmë, por nuk kemi mbërritur ende te ky libër”, tha Shehu.

Ai vetë ka qenë në një rast kandidat për kryetar bashkie, por a do pranonte të kandidonte sërish? “Nëse do të dalin tek emri im do ta marr në konsideratë”, tha ai.

Analisti Alfred Lela u ndal te sondazhet mediatike. Sipas këtyre sondazheve në kampin e majtë, Pandeli Majko del personi më i kuotur, ndjekur nga Erjon Veliaj, Blendi Klosi e Lindita Nikolla.

Duke u bazuar edhe te sondazhet, Ministri Çuçi tha se emri i dalë nga Partia Socialiste, në bazë të marrëveshjes së arritur me LSI-në do të jetë i konsultuar.

Analisti tjetër i ftuar në panel, Skënder Minxhozi më shumë se sa emrat kërkoi t’i jepej rëndësi platformave.

“Kuici i emrave nuk më pëlqen. Dua të ngre një problem parimor, Tirana tejkalon lojën e emrave, duhet të ketë një betejë mendimesh se sa emrat dhe kandidaturat. Do të ishte mirë që për Tiranën kandidatët të paraqisnin një miniplatformë të tyre brenda formacioneve politike, në formë raundi të parë nga i cili do të dilte më i fituari. Po marr këtë aspekt që ka më shumë rëndësi se çfarë vendos Rama dhe Basha”, tha ai.

Edhe Alfred Lela u shpreh në të njëjtin mendim duke deklaruar se kandidatët duhet të dalin me platforma.

Bledi Çuçi deklaroi se përtej platformës, me rëndësi është gjetja e një njeriu me integritet moral e profesional e pastaj kriteret politike. “Mendoj që partitë e mëdha e kanë këtë mundësi për të gjetur njerëz me këto cilësi”, u shpreh ai.

Për Dashamir Shehun historia e bashkive dhe administrimit të territorit në Shqipëri nis nga përzgjedhja e partive dhe e votuesve.

“Unë mendoj që historia e bashkive në Shqipëri nis me burra të ndershëm që nuk shesin më lejet e ndërtimit. A janë të zonjat partitë që të gjejnë këta njerëz? Kjo është teza kryesore”, tha ai.

Shehu u ndal edhe tek ndarja territoriale, e cila sipas tij, është bërë mbi një parim të gabuar duke përzier bashkë zonat urbane me ato rurale.

Më tej debati u zhvendos tek zërat për kandidatët e pavarur. Njëri prej tyre, të paktën nga sa përflitet është emri i Gjergj Bojaxhi si i pavarur në Tiranë.

Alfred Lela i njohu një avantazh kandidatit të pavarur kur tha: “Do të jetë një hap përpara kandidatëve të partisë sepse do t’u dalë qytetarëve me një platformë”.

Dashamir Shehu u shpreh se kandidaturat e pavarura janë të mirëpritura dhe i shërbejnë demokracisë në vendin tonë. Ai bëri thirrje për kujdes në përzgjedhjen e kandidatëve nga të dyja palët, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita.

“Me 61 njësi është një mundësi e mirë për të gjetur njerëzit e duhur, njerëz të ndershëm. Përtej platformave, do u kërkoja këtyre shefave të partive që të gjejnë burra dhe gra të ndershme, aq më shumë gra që bartin një pastërti dhe më pak të korruptuara”, tha Shehu.

Në fund u bë edhe një pasqyrim i sondazhit të hapur prej emisionit në faqen e “Shqip” në Facebook, ku rezultoi Pandeli Majko si emri më i preferuar si kandidat nga e majta dhe Grida Duma nga e djathta.

Top Channel