Cikloni shkatërron ishujt, banorët në kërkim të ushqimit

17/03/2015 00:00

Banorët në Vanuatu, i cili u godit pak ditë më parë nga cikloni “Pam”, po përballem me një problem tejet serioz, me mungesën e ujit të pijshëm dhe të ushqimeve.

Zyrtarët vendas kanë thënë se Vanuatu ka nevojë urgjente për ndihma për të siguruar nevojat bazë të mbijetesës

Cikloni “Pam” goditi javën e kaluar arkipelagun e Paqësorit të jugut, Vanuatu, duke shkatërruar çdo gjë që i doli përpara. Deri tani janë konfirmuar 24 persona të vdekur, por ekziston frika se numri i viktimave mund të jetë shumë herë më i lartë, pasi në disa ishuj situata ende nuk dihet.

Një zyrtar i UNICEF-it ka thënë se banorët kanë nevoja urgjente për ushqim, pasi prodhimet e tyre janë shkatërruar tërësisht nga kalimi i ciklonit.

Kjo dukuri natyrore u cilësua si më e rënda në historinë e vendit. Infrastruktura e ishujve është shkatërruar tërësisht dhe njerëzit enden nëpër rrugë në kërkim të ndihmave.

Top Channel