Izraeli voton për qeverinë e re, betejë Netanyahu-Herzog

17/03/2015 00:00

Në Izrael janë hapur këtë të martë qendrat e votimit për atë që pritet të jetë një garë e fortë mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe rivalit të qendrës së majtë, Yitzhak Herzog.

Bashkimi Sionist ka premtuar se do të riparojë marrëdhëniet me Palestinën dhe me komunitetin ndërkombëtar.

Ndërsa zoti Netanyahu është betuar se nuk do të lejojë krijimin e shtetit palestinez nëse fiton një mandat të katërt. Megjithatë, asnjë nga palët pritet të marrë më shumë se çerekun e votave.

Qendrat e votimit u hapën në 07:00 me orën lokale dhe do të mbyllen në 22:00. Rezultatet mund të shpallen shumë shpejt nga mbyllja e qendrave, ndërsa konfirmimi zyrtar pritet të kërkojë kohë.

Gjithashtu, kjo mund të pasohet nga një periudhë e gjatë negociatash për formimin e koalicionit të ri qeverisës.

Sondazhet e publikuara javën e kaluar sugjerojnë se grupimi i qendrës së majtë, Bashkimi Sionist ka gjasa të fitojë shumicën e ulëseve në Parlament.

Megjithatë, korrespondenti i BBC në Jeruzalem deklaron se për zotin Netanyahu ka shanse që të formojë një koalicion qeverisës edhe nëse partia e tij, Likud, nuk arrin të sigurojë shumicën.

Asnjëherë një parti në Izrael nuk ka fituar shumicë dërrmuese në zgjedhje, gjë që ka bërë që vendi të udhëhiqet nga një koalicion qeverisës.

Fushata elektorale e zhvilluar ka patur në fokus çështjet ndërkombëtare, nga marrëdhëniet e Izraelit me Shtetet e Bashkuara deri tek shqetësimet mbi programin bërthamor iranian.

Top Channel