Italia ekstradon 31-vjeçarin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar

17/03/2015 00:00

Interpol Tirana ka kryer këtë të martë ekstradimin nga qyteti i Milanos për në Shqipëri të shtetasit Tristan Peçi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas një njoftimi për shtyp të Policisë së Shtetit, në vitin 2005 Gjykata e Elbasanit vendosi ndaj 31-vjeçarit Peçi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për “vrasje të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”.

Një vit më vonë, e njëjta gjykatë kishte dënuar po në mungesë personin në fjalë me 15 vjet e 6 muaj burg për të njëjtën akuzë.

Kjo, pasi më 24 gusht 2005, Peçi dhe një bashkëpunëtor i tij, i identifikuar me inicialet K.P, kanë kryer një atentat me armë zjarri ndaj një personi tjetër.

Sipas njoftimit të policisë, dy atentatorët i kanë zënë pritë objektivit të tyre pranë shkollës së mesme “Ahmet Dakli” dhe sapo e kanë parë kanë zbritur nga automjeti dhe kanë nisur të qëllojnë ndaj tij me armë zjarri.

Peçi ka qëlluar me pistoletë ndërsa bashkëpunëtori i tij me automatik dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes, saktëson më tej policia.

Ekstradimi i 31-vjeçarit u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës dhe mëngjesin e së martës i dënuari iu dorëzua autoriteteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në aeroportin e Rinasit.

Top Channel