Kukës, pyjet me pisha dëmtohen nga procesionarja

17/03/2015 00:00

Qindra hektarë me pishë të zezë në Qarkun e Kukësit janë prekur nga sëmundja e procesionares, duke shkaktuar dëme të kosniderueshme në pyjet e Kukësit, Hasit dhe Tropojës.

Sipas ekspertëve, sipërfaqja e prekur po shkon duke u rritur. Ata kanë hartuar edhe një projekt për dezinfektimin e këtyre sipërfaqeve, mirëpo deri tani ende Ministria e Mjedisit nuk ka akorduar ndonjë fond të posaçëm për këtë çështje.

“Megjithëse kanë qenë kushtet jo të përshtatshme nga ngricat dhe i ftohti, nga të dhënat që kemi pasur muajin e kaluar rezulton se përhapja e sëmundjes ka arritur në 800 deri në 1 mijë hektarë. Këto janë pyje të reja dhe janë artificiale, ndaj ndërhyrja për të ndalur këta dëmtues është e domosdoshme. Në rrethin e Tropojës janë dëmtuar 13 hektarë”, deklaroi Xhemail Jakupi, specialist në DPSH.

Në qarkun e Kukësit janë 10 mijë hektarë të mbjellë me pishë. Kjo sipërfaqe është dëmtuar nga kjo sëmundje që pengon zhvillimin dhe zhduk bimësinë.

Nga qeveria është marrë një vendim shumë i rëndësishëm për të ndërhyrë për eliminimin e kësaj sëmundjeje, pasi është konsideruar një emergjencë kombëtare. Megjithatë, deri tani në këtë qark nuk ka asgjë konkrete.

Top Channel