Kontrabandë me mallra, ndjekje penale për 8 doganierë të Kakavijës

17/03/2015 00:00

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka dërguar për ndjekje penale 8 punonjës të saj dhe dy shoferë të një subjekti tregtar, pasi futën kamionë kontrabandë në kufi.

Bëhet e ditur se nga hetimi i kryer u zbulua se më 26 shkurt të këtij viti, në Doganën e Kakavijës kanë kaluar dy automjete kamionë kontrabandë, të cilët kishin në brendësi artikuj të ndryshëm industrialë. Kalimi është bërë duke shmangur procedurat ligjore dhe vlerave të konsiderueshme të detyrimeve doganore.

Punonjësit e doganës kanë konsumuar veprën penale të kontrabandës. Departamenti Operativo-Hetimor ka dërguar për ndjekje penale në Prokurorinë e Gjirokastrës, “për veprën penale të kontrabandës”, dhe ka pezulluar menjëherë nga detyra 8 punonjësit: Klodian Cani, përgjegjës turni; Redi Karalliu dhe Arben Zhupa, doganierë të kontrollit në pikën e hyrjes; Ardit Karabina, doganier i peshores; Engjëll Ymeraj, doganier i parkimit; Idriz Zogu, përgjegjës i grupit të Antikontrabandës; Vladimir Goxhi dhe Etjon Hyseni, inspektorë të Antikontrabandës. Gjithashtu, u dërguan për ndjekje penale edhe dy drejtuesit e mjeteve, me inicialet T.Ç dhe L.Z, të cilët në bashkëpunim me 8 punonjësit e administratës doganore kanë kryer veprën penale të kontrabandës në degën e Kakavijës.

Hetimet vazhdojnë dhe të gjitha materialet e mbledhura gjatë zbulimit të kësaj veprimtarie të organizuar kriminale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për të vazhduar më tej këtë çështje.

Top Channel