Shqipëria “nxjerr” në treg zonat e naftës. Rama: Albpetrol s’mund të funksionojë më kështu

17/03/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të martë, në Samitin e Energjisë, se qeveria e tij po bën gati privatizimin e Albpetrolit, përmes një gare të hapur dhe transparente.

“Ky do të jetë viti i përfundimit të procesit të stërzgjatur të shoqërisë shtetërore Albpetrol, për të cilën po përgatitet vlerësimi financiar dhe dokumentet e privatizimit me asistencën e institucioneve ndërkombëtare. Shteti do të marrë të gjitha të drejtat që sot i gëzon Albpetrol, si një inerci e një të shkuare të largët dhe ndërkohë Albpetrol do të ndahet nga blloqet e lira të naftës që do të vihen në dispozicion të investitorëve”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se për qeverinë, Albpetrol është një hibrid që nuk i reziston dot kohës, siç u shpreh ai, por mbetet një aset i vlefshëm dhe siguroi se procesi i privatizimit do të jetë një garë e ndershme për të gjithë aktorët e interesuar.

Ndërkohë, duke folur rreth potencialit që ofron Shqipëria në sektorin e nxjerrjes së naftës, ministri i Energjisë Damian Gjiknuri tha se vendi ka 13 blloqe të lira të gatshme për t’u shfrytëzuar nga investitorët e interesuar.

“Ministria e Energjitikës do të nisë procedurat për dhënien e 3 blloqeve të para për kërkim tek shoqëritë e interesuara përmes procedurave të negociuara kompetitive, duke synuar kompanitë më serioze që mund të përballojnë investimet për kërkime në Shqipëri. Gjithashtu, qeveria do të kryejë sizmikën e blloqeve të lira detare, me qëllim përgatitjen e bazës së të dhënave për të realizuar ankandin për blloqet e lira në det”, deklaroi Gjiknuri.

Sipas Ministrisë së Energjisë, prodhimi i naftës bruto gjatë vitit 2014 është rritur nga 1.2 në 1.4 milionë tonë, por mundësitë që ofron Shqipëria janë më të mëdha.

Studimet e hershme gjeologjike sugjerojnë se rezervat me naftë dhe gaz janë rreth 300 milionë tonë, prej të cilave 40 milionë janë lehtësisht të nxjerrshme.

Top Channel