Vlorë, dy në pranga për trafik droge

17/03/2015 00:00

Policia e Vlorës ka arrestuar dy persona mëngjesin e së martës si përgjegjës të tentativës për të trafikuar një sasi prej 5.8 kilogramë hashash drejt Italisë, një ditë më parë.

Të arrestuarit janë shtetasit Mario Gjyzari, 34 vjeç dhe Gentian Guda, 45 vjeç. Të dy janë punonjës të një agjencie udhëtimesh; i pari me detyrën kontrollor i bagazheve, ndërsa i dyti me detyrën shofer pranë kësaj agjencie.

Arrestimi i tyre u krye pasi nga hetimet paraprake dyshohet se ata janë përgjegjës për rastin e trafikimit të mbetur në tentativë, të 5.8 kg. marijuanë.

Ndërkohë, në një rast të ngjashëm, në një autobus të linjës Tiranë-Athinë që kalon nga Kapshtica, u zbulua një çantë me 30 kilogramë hashash.

Burime të policisë thanë se, autobusi i një shoqërie transporti u është nënshtruar procedurave rutinë të kontrollit para se të kalonte kufirin për të hyrë në shtetin grek, kur punonjësit e kufirit kane kontrolluar bagazhet e udhëtarëve. Brenda njerit prej tyre ata kane gjetur një sasi lënde narkotike canabis sativa, me peshë rreth 30 kg., e cila ishte paketuar dhe vendosur në një çantë sportive.

Top Channel