Ristani: Rama-Meta, shantazh dëshmitarit dhe Frrokut

17/03/2015 00:00

Deputeti i PD-së, Arben Ristani, në një deklaratë për mediat të mbajtur paraditen e së martës ka akuzuar Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Parlamentit Meta se, përmes kërcënimeve dhe shantazheve, po manipulojnë hetimet mbi akuzat për vrasjen e deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi.

“Po bëhen 24 orë qëkur janë publikuar dokumentet që tregojnë se Edi Rama dhe Ilir Meta kanë marrë peng dëshmitarin kryesor në hetimin e akuzës për porositjen e vrasjes së dy deputetëve nga Kryetari i Parlamentit. Gjithashtu, prej 24 orësh Edi Rama dhe Ilir Meta heshtin, edhe pse u bë botërisht e njohur se ata e kanë zënë deputetin Mark Frroku në flagrancë duke marrë në mbrojtje një person të kërkuar për trafik droge”, ka deklaruar Ristani.

Sipas tij, trafikanti u la i lirë ndërsa deputeti Frroku nuk pati asnjë pasojë, sepse e gjitha kjo është pjesë e skenarit të dyshes Rama-Meta për të manipuluar rrjedhën e hetimeve mbi akuzat e ngritura nga deputeti Doshi.

“E gjithë kjo është në funksion të manipulimit të hetimit dhe fshehjes së të vërtetës në lidhje me akuzën më të rëndë të 25 viteve të fundit, që Kryetari i Parlamentit ka porositur vrasjen e dy deputetëve. Kapja e dëshmitarit kyç të procesit dhe përdorimi i tij më pas, sipas interesave të tyre, për të dalë të larë nga kjo histori është një skemë mafioze dhe kriminale”, ka thënë Ristani.

Ai ka shtuar se, deputeti Frroku është gjithashtu nën presion me gjyqin që ka vëllai i tij, i cili akuzohet për vrasjen e komisarit Lamaj. Pasi ka hedhur akuza ndaj instancave më të larta qeveritare, deputeti demokrat ka theksuar se, në këtë situatë asistenca ndërkombëtare për hetimin është jetike.

“Këto fakte tronditëse të përfshirjes së gjithë shtetit për të influencuar hetimin e bëjnë edhe më urgjente nevojën për asistencë ndërkombëtare në këtë proces jetik për vendin”, ka thënë Ristani, duke shtuar se opozita dhe populli shqiptar nuk do të qëndrojnë duarkryq ndaj këtyre ngjarjeve, por “do të jenë në këmbë”.

Top Channel