Ndryshon ligji për të drejtën e informimit. Gjobë kujt refuzon informacionin 

17/03/2015 00:00

Çdokush e ka provuar që për të marrë një informacion nëpër ministri apo institucione të tjera shtetërore has në barriera të pashpjegueshme, edhe pse informacioni duhet të jetë publik dhe i aksesueshëm nga qytetarët.

Këto barriera ekzistojnë jo vetëm për qytetarët e thjeshtë, por edhe për vetë mediat. Me një ndryshim që i është bërë ligjit mbi të drejtën e informimit, tanimë çdo institucion do të ketë një koordinator për informacionin, i cili në rast ankese nga qytetari, se brenda 10 ditësh nuk ka mundur të ketë akses në informacion, do të gjobitet.

“Një pjesë e mirë e informacionit do të merret me të drejtë, pastaj çdo qytetar apo subjekt ka të drejtë të kërkojë dokument zyrtar dhe brenda 10 ditësh çdo autoritet publik duhet të përgjigjet. Në rast të kundërt ka një sanksion që shkon deri në 300 mijë lekë”, deklaroi Besnik Dervishi, komisioner për të drejtën e informimit.

Përveç burokracive të shumta, shpesh ai që i bën bllokim daljes së informacionit nga një institucion është titullari i tij. Sipas Dervishit, në këtë rast gjoba shkon për titullarin, pa përjashtuar edhe ministrat.

“Në bazë të ankesës së qytetarit apo subjektit në zyrën e komisionerit, nëse nga një hetim rezulton se ka një kundërvajtje administrative, ajo sanksionohet me një gjobë që shkon nga 150 mijë në 300 mijë lekë, e që përfshin edhe ministrin”, saktësoi Dervishi.

Në një takim me rreth 200 punonjës të administratës shtetërore dhe përfaqësues të shoqërisë së hapur janë sqaruar risitë në ligj, si dhe është kërkuar për çdo institucion përgatitja e një programi mbi transparencën e informacionit.

Top Channel