Frroku: S’kam ndihmuar kriminelë. Akuzat ndaj meje, politike

17/03/2015 00:00

Përmes një deklarate, deputeti Mark Frroku reagoi pas publikimit në media të një raporti policor, sipas të cilit deputeti i Partisë Kristian-demokrate kishte ndihmuar një trafikant t’i shpëtonte ndjekjes së policisë, duke e transportuar me automjetin e tij.

Në deklaratë, deputeti Frroku i cilëson akuzat “politike” dhe se “gjithmonë ka respektuar ligjin dhe nuk e ka përdorur imunitetin për të ndihmuar persona të lidhur me aktivitete kriminale”.

“Kam respektuar çdo kërkesë që kanë pasur në adresën time forcat ligjzbatuese për verifikim apo ndalim, sa herë që ka qenë e nevojshme”, thuhet në deklarimin e Frrokut.

“Po ashtu nuk kam përdorur kurrë imunitetin për t’i dhënë ndihmë asnjë personi që është i përfshirë në aktivitete kriminale, apo që ka qenë në listën e personave të kërkuar nga drejtësia. Unë e kam dëshmuar mëse një herë se nuk i jam shmangur asnjëherë drejtësisë, duke vepruar me standarde krejt të tjera nga ato të akuzuesve të mi”, vijon Frroku.

Deputeti i PKD-së thotë se e gjitha kjo bëhet kundër forcës politike që ai drejton, e cila do të garojë në zgjedhjet e 21 Qershorit.

Top Channel