Bumçi: Shqipëria, hapa prapa. Shumica refuzon dekriminalizimin

17/03/2015 00:00

Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, në një komunikim me mediat në përfundim të takimit të Komitetit të Stabilizim-Asociimit, ka deklaruar se Shqipëria ndodhet mbrapa në rrugën e integrimit europian dhe për këtë ka bërë përgjegjëse qeverinë aktuale.

“Kjo qeveri është përgjegjëse për gjendjen ku është katandisur Shqipëria. Një vit nga marrja e statusit nuk është përcaktuar ende data për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Shqipëria nuk ka ecur përpara, për shkak të kësaj qeverie”, ka thënë Bumçi.

Deputeti demokrat ka bërë të ditur se gjatë takimit, opozita ka ngritur një seri shqetësimesh që fillojnë me mosrespektimin e të drejtave të njeriut dhe vijojnë me mungesën e vullnetit politik për të luftuar krimin e organizuar dhe vazhdimin e shkarkimeve në administratë.

Më tej, Bumçi ka prezantuar edhe pikat për të cilat mazhoranca nuk ka rënë dakord. “Mazhoranca nuk pranoi që në procesin e dekriminalizimit të përfshihet edhe Ilir Meta, si person i akuzuar nga një deputet i mazhorancës për organizimin e vrasjes së dy deputetëve”, ka shtuar deputeti i PD-së.

“Gjithashtu, nuk ramë dakord që çështja e shkarkimeve në administratë të përfshihet në konkluzionin e takimit. Nuk ramë dakord as për realizimin e reformës në drejtësi”, saktësoi Bumçi.

Për këtë të fundit, deputeti demokrat ka akuzuar mazhorancën se po e bën në mënyrë të njëanshme dhe se ka përjashtuar nga procesi faktorin ndërkombëtar.

“Reforma në drejtësi, që është dhe më e rëndësishmja, po bëhet në mënyrë të njëanshme. Pyetja është: ç’problem ka mazhoranca me misionin Euralius dhe Komisionin e Venecias, pse nuk i përfshin?”, është shprehur Bumçi.

Sa i takon dialogut politik, ai ia ka faturuar përgjegjësinë mazhorancës. “Është përgjegjësi e shumicës, sepse aktualisht kemi një supermazhorancë që vendos. Të gjitha reformat duhet të jenë me konsensus, sepse ndryshe nuk janë të vlefshme”, ka thënë Bumçi.

Top Channel