Korçë, mbetjet spitalore nuk trajtohen; gjobitet spitali

17/03/2015 00:00

Mbetjet spitalore vijojnë të bashkohen me mbetjet urbane në Korçë, edhe pse spitali rajonal është i pajisur me autokllavë prej disa vitesh. Në koshët e mbeturinave sërish gjenden mbetje të tilla, që variojnë nga shiringat e deri tek ato më të rrezikshmet.

Fillimisht ato hidhen në koshët e mbetjeve urbane që ndodhen në oborrin spitalor, të cilët boshatisen vazhdimisht nga firma e pastrimit të qytetit, për t’u depozituar në fushën e mbetjeve urbane.

Më herët spitali rajonal i Korçës është ndëshkuar edhe me një gjobë nga Inspektoriati i Mjedisit për shkak të këtij problemi të konstatuar nga inspektorët, duke u renditur kështu mes dhjetëra njësive të qeverisjes, por edhe subjekteve private që shkakrkojnë mbetjet.

“Janë gjobitur edhe firma të cilat kanë kryer dëme të konsiderueshme në mjedis, spitali rajonal dhe subjekte të tjera. Të gjitha këto janë kapur në flagrancë dhe janë gjobitur sipas legjislacionit në fuqi”, deklaroi kryeinspektor Arta Buzo.

Në pak muaj në qarkun jug-lindor janë vendosur gjoba për 20 bashki dhe komuna dhe për 16 subjekte private e institucione të tjera.

Top Channel