Akuzat e PD-së, Policia: U publikuan informacione sekrete. Në rrezik jeta e efektivëve

17/03/2015 00:00

Publikimi nga ana e opozitës dhe në disa media i të dhënave, që cilësohen si ‘të dhëna sekrete’ për një operacion të Policisë së Shtetit të ndërmarrë në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit të vitit të kaluar, e ku përmendet edhe emri i deputetit Mark Frroku, ka shkaktuar reagimin e uniformave blu.

Në një komunikatë të shpërndarë për mediat, Policia e Shtetit pasi sqaron detajet nga operacioni, shprehet e shqetësuar mbi rrjedhjen e informacionit në disa media, përfshirë këtu edhe publikimin e identitetit të efektivëve që kanë marrë pjesë në operacionin e koduar “Laguna e Vilunit”, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Për këtë, Policia e Shtetit paralajmëron edhe nisjen e një hetimi penal për autorët.

Për Policinë e Shtetit, operacioni “Laguna e Vilunit”, i realizuar nga 30 shtatori deri më 2 tetor, është një ndër më të suksesshmit e realizuar me Italinë dhe Malin e Zi, dhe se çdo vendim i marrë është bërë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Nga veprimet hetimore u kapën dhe u arrestuan në flagrancë 7 persona, anëtarë të një grupi të organizuar kriminal. Në cilësinë e provës materiale u bllokuan 804 kg marijuanë, 12 mijë euro, 16 celularë, 370 fishekë dhe 3 automjete të ndryshme. Ndërkohë që vazhdon hetimi për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.

“Për sa u përket insinuatave me natyrë politike, për veprimet operacionale policore, Policia e Shtetit sqaron se vendimet gjatë çdo faze të operacionit Laguna e Vilunit, janë marrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me të cilën ka ndjekur prej më shumë se një viti procedimin penal për veprimtarinë e këtij grupi kriminal”, thuhet në komunikatë.

Top Channel