Basha me këshilltarët e Merkel: Politika shqiptare, e kriminalizuar

17/03/2015 00:00

Partia Demokratike e ka përcjellë në Berlin shqetësimin mbi situatën në Shqipëri, të cilën kryetari i opozitës, Lulzim Basha e cilësoi si të rëndë për shkak të kriminalizimit të politikës, Parlamentit dhe niveleve më të larta të administratës.

Këtë shqetësim zoti Basha e ndau me dy prej bashkëpunëtorëve më të afërt të kancelares gjermane, Angela Merkel, përkatësisht shefit të saj të kabinetit dhe këshilltarit për politikën e jashtme dhe sigurinë.

Kreu i opozitës ka diskutuar me ta edhe rreth akuzave më të fundit kundër kryetarit të Kuvendit, si porositës i vrasjes së dy deputetëve.

Njoftimi për shtyp i Partisë Demokratike thotë se, “zoti Basha i njohu dy zyrtarët e lartë të qeverisë gjermane me përpjekjet që po bëhen nga pushteti për të penguar hetimin dhe për të fshehur të vërtetën e kësaj çështjeje”.

“Kërkesa e opozitës dhe e mbarë qytetarëve është dorëheqja e kryetarit të Kuvendit nga posti i tij, për t’i hapur rrugë një hetimi të drejtë e të plotë, të painfluencuar nga pushteti”, citohet të ketë thënë Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike shprehu angazhimin e opozitës për ta çuar deri në fund dekriminalizimin e politikës dhe për ta çliruar vendin nga sundimi i krimit në pushtet.

Top Channel