Champions League, Arsenali kërkon mrekullinë në Monako, A. Madrid pret Leverkusenin

17/03/2015 00:00

Atletiko Madrid – Bayer Leverkusen dhe Monako – Arsenal janë ndeshjet e mbrëmjes në Champions League ku përmbysjet e rezultateve janë të mundshme ose të paktën këtë do të kërkojë skuadra spanjolle dhe ajo londineze.

Të dyja këto ekipe janë të detyruara të fitojnë ndaj Bajer Leverkusenit dhe Monakos, pasi është e vetmja mundësi që të vazhdojnë rrugën më tej në këtë kompeticion.

Trajneri i Atletikos, Diego Simeone, ka kërkuar mbështetjen e tifozëve në këtë sfidë, pasi sipas tij ajo mund të jetë vendimtare për të përmbysur humbjen 1-0 të ndeshjes së parë.

Pak më e komplikuar është situata për Arsenalin i cili duhet të bëjë mrekullinë në Francë. Të përmbysësh në transfertë humbjen 1-3 në ndeshjen e parë është diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë në Champions, por trajneri Arsen Venger është i bindur se skuadra e tij do të bëjë lojën perfekte në Monako dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e këtij aktiviteti edhe në turin e ardhshëm.

Top Channel