Xhihadistët shqiptarë refuzojnë avokatët në gjyq: Na mbron Allahu!

17/03/2015 00:00

Kur njëri nga të pandehurit tregoi me shenjë, duke nënkuptuar për mbështetësit që kishin ardhur në gjykatë se Zoti është një, ata iu përgjigjën me përshëndetje të Islamit: mbi ju qoftë paqja dhe shpëtimi i Zotit.

Por në shtëpinë e ligjit, ku zhvillohen gjyqe dhe jepen vendime në emër të Republikës, u shpërfill nga 8 të pandehurit e mbështetësit e tyre edhe “alfa” për solemnitetin gjyqësor. Përveç gazetarëve dhe policëve, askush tjetër nuk u ngrit në këmbë, një detyrim i përcaktuar për të respektuar trupën gjyqësore.

Procesi në Gjykatën e Krimeve të Rënda ndaj të pandehurve, që akuzohen se kanë rekrutuar shtetas shqiptarë duke i dërguar për luftë në Siri, si dhe kanë propaganduar urrejtjen fetare, vijoi më tej edhe me refuzimin e 5 të pandehurve për t’u mbrojtur nga avokatët. Kjo pasi ata kanë avokat Zotin.

“S’kam nevojë për avokat mbrojtës, kam Allahun”, tha i pandehuri Bujar Hysa.

Të vetmit që kanë pranuar avokat janë Verdi Morava, i cili nuk ishte i pranishëm, Orion Reçi dhe Astrit Tola, ndërkohë që të tjerët; Genci Balla, Gert Pashja, Bujar Hysa, Edmond Balla, Zeqir Imeri dhe Fadil Myslymani; nuk do të përfaqësohen nga avokatë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se të pandehurit, me role të ndara e të përcaktuara, ku dy prej tyre; Balla dhe Hysa; në rolin e imamëve të vetëshpallur, kanë rekrutuar mbi 70 shtetas për të luftuar në Siri, si pjesë e grupimeve xhihadiste, që janë të listuara nga OKB-ja si organizata terroriste.

Top Channel