Islandë, qeveria euroskeptike tërhiqet nga anëtarësimi në BE

17/03/2015 00:00

Pas krizës së 2008-s që e çoi në prag falimentimi, Islanda trokiti për ndihmë në derën e BE-së. Por shteti ishull tani e ka tërhequr kërkesën e vet të anëtarësimit, një lëvizje kjo jo tërësisht e papritur. Kundërshtia, megjithatë, nuk ka munguar.

7.000 vetë, apo rreth 7% e banorëve të kryeqytetit Rejkjavik, dolën në rrugë për të protestuar ndaj vendimit të Qeverisë, duke mbështetur kështu argumentet e opozitës se hapi u hodh pa konsultime të mjaftueshme.

“Qeveria nuk guxon të përballet as me Parlamentin e as me publikun në lidhje me këtë çështje, por përpiqet të mashtrojë BE-në që të pranojë një ndryshim në statusin e Islandës”, tha Arni Pall Arnason, aleanca socialdemokrate.

Islanda i nisi në 2009-n negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por mbështetja popullore është tkurrur që prej ardhjes në pushtet, 2 vjet më parë, të Qeverisë aktuale, shumë më euroskeptike, si dhe rimëkëmbjes së ngadaltë ekonomike të vendit.

Ekzekutivi njoftoi të enjten se Islanda nuk është më vend kandidat për aderim në bllokun europian, e për këtë është informuar dhe kryesuesja e radhës e BE-së, Letonia. Opozita u përgjigj me një letër të dërguar institucioneve europiane, ku thuhej se ishte Parlamenti ai që ia dha Qeverisë në 2009-n mandatin për aplikimin e anëtarësimit, dhe vetëm Parlamenti mund ta tërheqë mbrapsht.

Ndryshimi i qëndrimit iu faturua çështjes së peshkimit, e cila është shumë e rëndësishme për ishullin, ndërsa anëtarësimi do ta integronte automatikisht në një sistem kuotash. Nga ana tjetër, Islanda është anëtare e Zonës Ekonomike Europiane dhe mund t’i eksportojë pa doganë peshqit e vet në BE.

Islanda, veç kësaj, përmes Bashkimit Nordik të Qarkullimit të Lirë është pjesë e hapësirës “Schengen”, ku janë hequr kontrollet kufitare. Kjo e lehtëson jashtëzakonisht turizmin, po ashtu një burim i rëndësishëm i të ardhurave. Me fjalë të tjera, Islanda edhe pa anëtarësinë në BE ka një sërë avantazhesh nga lidhja e madhe e shteteve, ndaj dhe kërkon që të shmangë disavantazhet.

Top Channel